Lajme Shqip Saturday, 21 April 2012 08:00

NewYork- Shpresa për një zgjidhje paqësore në Siri duket se po zbehet! Një plan paqeje, i propozuar nga i dërguari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, dhe i “pranuar” nga Presidenti sirian Bashar al-Assad, ka rezultuar deri më tani një mision i pamundur. Plani parashikonte që brenda një afati 10 ditor (1-10 prill) trupat ushtarake të regjimit sirian të ulnin armët dhe të tërhiqeshin nga bastionet e forcave të opozitës që prej mëse një viti janë ngritur kundër presidentit Assad. 48 orë pas 10 prillit të njëjtën gjë do të bënin dhe forcat opozitare. Pra, synohej që nga 12 prilli të hynte në fuqi armëpushimi, por që nuk është zbatuar në asnjë ditë.

“Paqja” e pranuar nga Assad nuk ka prodhuar gjë tjetër, veçse mashtrim dhe cdo ditë viktima, sikurse ka ndodhur nga nisja e protestave anti-regjim në mars të vitit të kaluar, me një bilanc tragjik që numëron më shumë se 9 mijë civilë të vrarë. I gjithë ky zhvillim ka shtuar zemërimin në Perendim dhe vendet arabe, të pozicionuara në koalicionin “Miqtë e Sirisë demokratike”, të cilët Planin Annan e kanë parë si shpresën e fundit për një zgjidhje paqësore dhe që në fund të fundit do të shmangte një luftë të mundshme civile. Në rast të dështimit të këtij plani, “Miqtë e Sirisë”, të cilët të enjten u mblodhën në takimin e radhës në Paris, kanë “kërcënuar” se do të konsiderohen opsione të tjera.

Për momentin, presioni në Siri vazhdon të jetë diplomatik dhe financiar dhe në këtë frymë Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton bëri thirrje nga Parisi për një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të autorizonte embargon e armëve dhe masa të tjera të forta për regjimin sirian. Zonja Klinton la të nënkuptohej një rol të mundshëm të NATO-s në konflikt, pasi bombardimet e regjimit sirian prekën javën e kaluar kufirin turk, një vend anëtar i Aleancës, dhe ku mijëra refugjatë sirianë janë strehuar për t’i shpëtuar konfliktit. Sipas saj, Turqia e ka diskutuar një obsion të tillë në ministerialin e fundit të NATO-s në Bruksel. Kritik është shfaqur të enjten edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, i cili është shprehur se “Siria ka dështuar deri më tani në zbatimin e detyrimeve të saj që dalin nga plani i paqes”.

Një mision i gjerë në kushtet ku armët nuk janë ulur, ku popullsia vazhdon të vritet me gjak të ftohtë dhe ku numri i të shpërngulurve në vendet fqinje ka nisur të ngjasoj me një eksod biblik. Çdo ditë që kalon nënkupton dhjetra të vrarë në Siri. 230 mijë siranë janë larguar deri më tani dhe janë strehuar në vendet fqinje, ndërsa 1 milion qytetarë të tjerë janë në nevojë; sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. “Plani Annan është një dështim që nga fillimi. Si munden Kombet e Bashkuara të dërgojnë vëzhgues pas më shumë se një vit dhunë? Çfarë do të zbulojnë ata kur gjithçka është e njohur për botën?”, citonte WP një oficer të Ushtrisë së Lirë Siriane, i strehuar në një kamp refugjatësh në Turqi. Andaj “Miqtë e Sirisë” gjykojnë se nuk është më koha për gënjeshtra, por për të vepruar, megjithëse është e paqartë se si. (LajmeShqip.com)