Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 07:13

Londër – Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan bëri të ditur qartë se vendi i tij është i gatshëm të ndërmjetësojë në arritjen e armëpushimit në Libi shkruan gazeta “Guardian”.

Ai paralajmëroi se konflikti i cili po vazhdon në Libi mundet që vendin ta shndërrojë në “Irakun e dytë” ose “edhe në një Afganistan”, me pasoja shkatërruese si për vetë Libinë, ashtu edhe për NATO-n dhe vendet të cilat në mënyrë aktive marrin pjesë në operacionin ushtarak, thekson gazeta.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën, Erdogan deklaroi se vazhdojnë negociatat me qeverinë e Moamer Gadafit dhe me Këshillin kombëtar kalimtar.

Ai zbuloi se Turqia po përgatitet, në kuadër të marrëveshjes me NATO-n, ta ndërmarrë administratën e portit dhe të aeroportit në Bengazi, që t’i lehtësojë dërgesat humanitare.

Turqia, e cila luan rol gjithnjë e më të madh në rajon dhe i posedon forcat e armatosura të dyta për nga numri në NATO, është në fokusin e kontesteve për shkak të Libisë brenda në Aleancë, ndërsa arriti madje deri në përplasje të drejtpërdrejtë me presidentin francez Nikolla Sarkozi.

Turqia në mënyrë kategorike u shpreh kundër çdo intervenimi të jashtëm ushtarak në Libi, por në fund u pajtua të marrë pjesë pa mjete ushtarake, pasi që Këshilli i sigurisë i KB-së e solli rezolutën 1973, e mbështetur nga Lidhja arabe.

“Ne jemi kundër të gjitha veprimeve të njëanshme dhe asnjëherë nuk do të pranojmë thirrje si ato të ministrit francez të Punëve të Brendshme Klod Gean, për ekspeditë kryqëzate”, theksoi Erdogan në intervistën për “Guardian”.

“Turqia do t’i plotësojë detyrat e saj si anëtare e KB-së, por e përjashton çdo mundësi të gjuajë bomba mbi popullin libian”, theksoi kryeministri turk.