Lajme Shqip Wednesday, 19 September 2012 20:30

SHBA – Studiues të Universitetit të Harvardit në Shtetet e Bashkuara zbuluan një shkrim të lashtë koptik sipas të cilit, të krishterët e hershëm besonin se Jezusi ishte i martuar.

Në tekst shkruhet “gruaja e Jezusit” në gjuhën kopte, por nuk mund të përcaktohet nëse bëhet fjalë për bashkëshorte apo për dishepull femër.

Zbulimi u prezantua nga studiuesja Karen L. King në Harvard gjatë një takimi të studiuesve të shkrimeve kopte. King tha se papirusi i gjetur është e vetmja provë antike me tekst që flet për “gruan” e Jezusit. Megjithatë, shtoi ajo, kjo nuk është bindëse për të besuar që vërtet profeti i krishtërimit ishte i martuar.

Dyshimet e saj lidhen me datën e vonë të shkrimit, diku nga mesi i shekullit të dytë pas erës sonë.

Dyshimi tjetër lidhet me mënyrën e përfitimit të dokumentit. King tha se ai i ishte dorëzuar nga një koleksionues veprash antike me qëllim për ta analizuar atë. Studiuesja amerikane beson se shkrimi është pjesë e një teksti më të gjatë dhe nëse mund të vërtetohet origjinaliteti i tij dhe koha kur është shkruar, është një provë e fortë për të besuar se Jezusi ka qenë vërtet i martuar.

Duke iu referuar zbulimit në fjalë, New York Times shkruan se edhe pse me shumë dyshimi, ky studim pritet të rindezë debatin në komunitetin e krishterë që do të kërkojë përgjigjet për pyetjet; a ka qenë Jezusi i martuar? Nëse po, a ishte Maria Magdalena bashkëshortja e tij dhe nëse vërtet ka patur një dishepull femër.(LajmeShqip.com)