Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 08:00

Romë – Italianët sot i pret “e premtja e zezë” sepse në vend nuk do të funksionojë rreth 80 për qind e transportit publik.

Të punësuarit në transportin hekurudhor në Itali mbrëmë në orën 21 sipas kohës lokale filluan grevë kombëtare 24-orëshe në të cilin sot do të përfshihen edhe shoferët e transportit publik të qytetit.

Greva është shpallur nga sindikatat kryesore të punëtorëve transportues të cilët protestojnë kundër kushteve të marrëveshjeve të punëtorëve të cilat nuk ripërtërihen tashmë dy vjet, si dhe zvogëlimi i financimit të këtij sektori.

Koha e protestave është e ndryshme nëpër të gjitha qytetet në shtet. Në Romë, metrotë, tramvajet dhe autobusët nuk do të qarkullojnë nga ora tetë e 30 minuta deri në orën 17 e 30 minuta ku do të vazhdojnë me punë normale deri në orën 20 e 30 minuta kur do të kthehen në depo. Me qëllim për t’i zbutur problemet  e shfrytëzuesve të transportit publik, nëpunësit e hekurudhave premtojnë se do të tentojnë të sigurojnë transport së paku në një periudhë prej gjashtë orëve për shkak se trenat do të lëvizin nga ora gjashtë deri në orën nëntë dhe nga ora 18 deri në orën 21 sipas kohës lokale.